Ish-deputeti i Matit në Kuvendin e Shqipërisë, ambasador në Kosovë, z. Qemal Minxhozi dhe zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, z. Qerim Bajrami, me përfaqësues të tjerë të Ministrisë, pritën në Prishtinë në një takim pune kryetarin e bashkisë Klos, z. Basir Çupa, me të cilin u shkëmbyen mendime për organizimin e disa veprimtarive të përbashkëta kulturore midis komunitetit artistik të bashkisë së Klosit dhe simotrat e saj në Kosovë. Veç të tjerash, qëllimi i takimi ishte që t’u afrojmë trevave shqipfolëse mundësi për të sjellë në skenë vlerat folklorike që ka kombi ynë, sidomos traditat e popullit në gjininë e këngës epike dhe lirike, të valles dhe melodisë folklorike. Folësit në takim njoftuan zv. ministrin Qerimi për resurset e Bashkisë së Klosit, punën e Grupit Folklorik “Petralba”, për vlerat e folklorit që kultivon ky grup, si dhe trashëgiminë historike e kulturore që ka treva e Klosit. Si kryetari Basir Çupa dhe kryetari i Grupit Folklorik “Petralba”, Ikli Punavija, kërkuan që mundësisht të mbështeten projektet kulturore të Grupit Folklorik “Petralba” dhe të përfshihen në ndonjë veprimtari folklorike qoftë në Kosovë, qoftë në Diasporë. Në vazhdim, zv. ministri Qerimi foli për misionin dhe qëllimin e Ministrisë së Diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor. Ai, po ashtu, foli për bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri në fushën e kulturës, për marrëveshjet e përbashkëta për mësimin plotësues në Diasporë e për veprimtari të tjera për Diasporën. Zv. ministri Qerimi theksoi se bashkëpunimi nuk do të mungojë, do të jetë i dyanshëm. Trashëgiminë jo materiale shpirtërore folklorike, që ruhet e zhvillohet në Njësitë Administrative të Bashkisë Klos, Grupi Folklorik “Petralba” e trajton si pasuri kombëtare dhe punon për ruajtjen, promovimin, popullarizimin dhe evidentimin e saj. Projektet që mund të mbështeten janë koncerte, pjesëmarrja në festivale në vend dhe jashtë vendit etj, për të cilat u shprehën dhe Shyhrete Gosalci, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike; Burim Krasniqi, shef kabineti, këshilltar i lartë politik dhe Avdyl Lipoveci, drejtor i Departamentit për Arsim e Kulturë në këtë ministri. Në vazhdim të vizitës, z. Faruk Nura, zv. ministër i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, i njohu miqtë nga Klosi me kabinetin e ish-presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku ushtroi detyrën si president. Vizita e kryetarit të Bashkisë së Klosit në Prishtinë u mbyll me pritjen që rezervoi Shoqata “Miqtë e Amerikës” në Kosovë dhe kryetari i saj, z. Agim Rexhepi.