Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Urimi i Kryetarit për fundvit!

Të dashur bashkëqytetarët e mi,

Kam kënaqësinë të marr pjesë me urimet e mia më të përzemërta në këtë natë ndërrimi vitesh për të gjithë ju qytetarë klosjanë!

Akoma pa marrë veten nga pasojat e tërmetit të vitit të kaluar , na u desh të përballemi me situatën me të vështirë prej shekujve , shfaqja e virusit Covid-19 që shtoi ankthin dhe pasigurinë për familjet shqiptare, dhe jo vetëm.

Lufta me armikun e padukshëm ka qenë dhe është e vështirë! Na u desh të përshatatemi me rregulla të reja jetese, me vështirësi ekonomike, me luftën për jetën! Por, nuk u dorëzuam! Ne së bashku me ndihmën tuaj arritëm ta mposhtnim disi armikun e padukshëm, duke respektuar të gjitha rregullat dhe duke përbushur nevojat e çdo qytetari në këtë kohë pandemie botërore.

U gjendëm pranë shtresave më në nevojë, duke i asistuar me ndihma ushqimore dhe higjeno-sanitare. Plot 1366 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe familjet e prekura nga tërmeti kanë përfituar ndihma ushqimore të vazhdueshme, përgjatë gjithë periudhës së mbylljes së vendit në përputhje me rregullat anti-covid. Nuk kemi lënë pas moshën e tretë, janë gjyshërit tanë të cilët kanë qenë më të rrezikuar nga armiku i padukshëm, e pikërisht vëmendja jonë ndaj kësaj kategorie ka qenë e veçantë, ku nëpërmjet grupeve të patronazhit kanë marrë shërbim në shtëpi.

Me shpresën që në këtë vit që po vjen të mund të shpëtojmë nga pandemia që ka pushtuar të gjithë globin, do të doja t’ju shpreh vullnetin dhe dëshirën time të mirë për të realizuar priorietet të cilat i kisha vënë vetes në momentin e ardhjes në detyrë, e që fatkeqsisht u ndaluan nga pandemia.

Qytetarë klosjanë, kemi rrugë të gjatë për të bërë bashkë, ka kaluar një vit dhe ndryshimet edhe pse të vogla kanë sjellë një pamje dhe frymë të re për Klosin.

Sot kemi një Klos më të pastër, ku shërbimi i pastrimit ka qenë një ndër shërbimet që Klosit i kishte munguar prej vitesh. Qyteti jonë modest tashmë është më i pastër, e për rrjedhojë edhe më i bukur!
Arsimi dhe shërbimi social kanë qenë dy fusha në të cilat kemi investuar për përmisimin e vazhdimësisë së tyre, si dhe janë fituar projekte të rëndësishme të cilat janë aktualisht në procesin e implementimit.
Edhe pse mundësitë për investime kanë qenë të vogla, prioriteti ynë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore ka vijuar paçka vështirësive. Kemi mundur të rehabilitojmë rrugët kryesore të fshatrave në çdo njësi administrative. Nuk mund të lë pa përmendur edhe punën e palodhur që është bërë për sistemimin e kanaleve vaditëse deri në fshatrat më të thellë dhe ujësjëllësin në tërësi.

Viti që po lëmë pas përtej vështirësive, do të kujtohet si viti i ndryshime të vogla por për t’u konsideruar me vlerë për nga rëndësia.
E për vitin që po vjen, dëshirojmë dhe do punojmë fort që të bëhet viti i ndryshimeve të mëdha!

Në përmbyllje të këtij fjalimi s’mund të lë pa përmendur herojntë e kësaj nate, që duhet të ishin në tryezat e familjeve të tyre, por janë pranë nesh në krye të detyrës.
Doktorë, infermierë, zjarrfikës dhe policë, ju faleminderit për përkushtimin tuaj dhe shërbimin e palodhur në kushtet e jashtëzakonshme për komunitetin tonë!

Bashkëqytetarët e mi, ju dëshiroj përzemërsisht një vit të ri me shëndet të plotë e me mbarësi!

GËZUAR 2021!

Kryetari i Bashkisë Klos
Ilmi Hoxha